Trajtimi i ftohjes së parë të një fëmije mund të jetë stresues.
Si ta dini nëse foshnja juaj është ftohur?
Shenjat dhe simptomat e një ftohjeje mund të përfshijnë temperaturë të lartë prej 38.5°C të shoqëruar me ethe për disa ditë, hundë të zëna ose të lëngshme me mukus që ndryshon nga ngjyra ujore në të verdhë ose jeshile dhe një kollë. Këto simptoma mund të zgjasin 5 deri në 10 ditë. Ju duhet që të jeni të qetë si prindër dhe ti siguroni foshjës kujdes, rehati dhe qetësi në mënyrë që ti tejkaloni bashkarisht sa ma lehtë këto ditë. Pasi të vërtetohet se fëmija juaj thjesht ka një ftohje, ne mund të iu ndihmojnë me këto mjete dhe teknika në mënyrë që fëmija juaj ta tejkalon sa më lehtë sëmundjen.
1. Aspirator hundor
E dini sa irrituese mund të jetë hunda e mbytur?
Foshnjat nuk dinë të fryjnë hundën, dhe as të marrin frymë me gojë. Ne iu rekomandojm përdorimin e pikave ose spray nga uji i detit bashkë me një aspirator i hundës për të thithur mukusin. Kjo do të pastrojë zgavrat e hundës dhe do të lirojë kullimin në pjesën e pasme të fytit.
2. Ilaçet
Për të ulur një temperaturën e lartë paracetamoli në formë të pikave për foshnjat ose ibuprofeni në formë shurupi për fëmije gjashtë muaj ose më të vjetër është i sigurt për t’u përdorur për të siguruar një farë rehatie. Ju duhet të sigurohuni që të konsultoheni me mjekun e fëmijës ose farmacistin tuaj për dozën e duhur dhe periudhën kohore të lejuar.
Produktet e kollës dhe të ftohtit që përmbajnë dekongjestantë, antihistaminë, suprimues të kollës dhe ekspektorantë nuk rekomandohen për fëmijët e vegjel.
3. Lagështuesit e ajrit
Përdorni një lagështues ose një avullues për të shtuar lagështinë në dhomat e gjumit dhe zonën e ndenjes për të mbajtur të njoma zgavrat e hundës, veçanërisht gjatë muajve të thatë të dimrit. Kjo do të ndihmojë në zvogëlimin e kollitjes gjatë natës dhe vështirësin e frymëmarrjes nda hunda.
4. Avulli
Ne iu rekomandojm për fëmijën tuaj inhalim me avull të çajit kamomile me pak kripë të himalejeve për të qetësuar kollitjen. Avulli ndihmon në zbutjen dhe hollimin e mukusit brenda zgavrave të hundës dhe pjesës së pasme të fytit, njekohesisht edhe në rrugët e sipërme të frymëmarrjes duke e lejuar atë të pastrohet lehtë dhe duke lehtësuar frymëmarrjen e fëmijës suaj.
5. Lartësia
Kollitjet shpesh duket se janë më të theksuara gjatë natës kur shtrihet fëmija juaj për të fjetur. Vendosni një shtesë ose një peshqir të palosur për të ngritur pak më lartë kokën e foshnjës tuaj (jo aq e lartë sa foshnja te rrëshqet poshtë krevatit!). Kjo mund të ndihmojë në kullimin e mukusit në drejtimin e duhur. Vendosja e foshnjës në gjumë në këtë pozicion kohë pas kohë (jo për periudha të gjata) mund të lehtësojë frymëmarrjen për shkak të pjerrësisë së lehtë.
6. Qetësohuni
Vendosni pak vazelinë ose krem per beba rreth vrimave të hundës së foshnjës për të lehtësuar acarimin nga fshirja e shpeshtë e hundës, njekohesisht pikat nga vaji i pishave (mund te qiten 3 deri ne 5 pika në jakën e rrobës së foshjës suaj) mund të lehtesojnë frymëmarrjen duke i mundësuar foshnjes gjumë të qetë.
7. Pushimi dhe hidratimi
Ashtu si të rriturit, foshnjat duhet të hidratohen mirë kur luftojnë një të ftohtë për të parandaluar dehidratimin. Prindërit shpesh dëshirojnë ta ushqejnë më shpesh fëmijët kur janë të sëmurë pasi janë rraskapitur nga gjumi i ndërprerë i shkaktuar nga simptomat e tyre të ftohjes. Modelet e tyre të të ushqyerit shpesh janë të gabuara.
Për foshnjat nën gjashtë muaj, qumështi i gjirit, pastaj ai formulë janë opsionet më të mira. Qumështi i gjirit përmban antitrupa që rrisin imunitetin e foshnjës kundër ftohjeve dhe sëmundjeve të tjera. Është e rëndësishme që nëna të pushojë kur fëmija flenë dhe po aq e rëndësishme që nëna të ushqehet mirë kur foshnja është e sëmurë për të bartur elementet ushqyese te rëndësishëm tek fëmija.
Kur të vizitoni mjekun
Nëse fëmija juaj është aktiv dhe ushqehet mirë, një vizite te mjeku mund të mos jetë e nevojshme.
Sidoqoftë, nëse foshnja juaj shfaq ndonjë nga simptomat e mëposhtme:
• diarre (barkqitje)
• të vjella
• dehidrim (fëmija qan pa lot, tharje të gojës dhe pelena të thata)
• temperaturë të lartë mbi 38.5°C te një fëmijë nën moshën tre muajsh
• vështirësi në frymëmarrje,
• ngjyra e lëkurës cianotike,
• vështirësi në zgjim (përgjumje) ose është letargjike,
• përkeqësimi i kollës që zgjat për më shumë se një javë
• foshnja nuk pin mirë, pasi qanë gjatë thithjes së qumështit
• foshja e tërheq apo e fërkon veshin (kjo mund të jetë një shenjë e një infeksioni në vesh).
ju duhet ta vizitoni menjëherë mjekun e fëmijës suaj.
Dr.Lendrit Spahiu, Mjek i Fëmijëve
Leave a Reply